Censet

Censet

“Cens” quhet mbledhja e informacionit me anë të pyetësorëve dhe përpunimi i të dhënave të marra, në mënyrë që të sigurohet numërimi i plotë i të gjithë individëve, njësive ekonomike familjare, banesave dhe ndërtesave të shfrytëzuara për qëllime banimi brenda territorit të Republikës së Shqipërisë në një moment të vetëm në kohë, si dhe prodhimi i statistikave në lidhje me karakteristikat demografike, ekonomike e sociale të popullsisë së Shqipërisë; “Dita e censit” quhet dita e parë e fillimit të mbledhjes të të dhënave në terren; “Momenti i censit” është ora 00:00 e mesnatës, që paraprin ditën e censit. “Popullsia” që regjistrohet në nivel kombëtar, rajonal dhe vendor, e cila gjendet në vendbanimin e zakonshëm në momentin e censit; “Vendbanim i zakonshëm”, vendi ku personi, zakonisht, kalon periudhën e përditshme të pushimit, pavarësisht nga mungesa të përkohshme për qëllime rekreative, pushime, vizita në miq dhe të afërm, biznes, trajtim mjekësor ose pelegrinazhi fetar. Personat, që konsiderohen si vendbanues të zakonshëm të një zone gjeografike, janë ata që kanë jetuar në vendbanimin e tyre të zakonshëm për një periudhë të vazhdueshme, të paktën 12 muaj përpara datës referuese si edhe ata që kanë ardhur në vendbanimin e tyre të zakonshëm gjatë 12 muajve para datës referuese, me qëllim që të qëndrojnë aty për, të paktën, një vit. “Ndërtesa” në Cens quhet një strukturë e përhershme, që përmban banesa të zakonshme, të projektuara për banim njerëzor ose që janë të rezervuara për banim sezonal, dytësor apo që janë boshe; Ndërsa “Banesë” quhet një vend i veçantë dhe i pavarur vendbanimi ose i menduar për banim nga njësitë ekonomike familjare, pavarësisht nëse është i zënë ose jo në momentin e censit apo nëse nuk është menduar për banim, por është përdorur si vendbanim në momentin e censit;

Që nga 1950 deri në 1990, popullsia e Shqipërisë ka përjetuar dekada të një rritjeje të shpejtë të popullsisë, edhe pse shpejtësia e kësaj lëvizjeje është ulur në mënyrë progresive. Lindshmëria ka qenë shumë më e lartë se në çdo vend tjetër të Evropës, edhe pse në rënie, vdekshmëria ishte relativisht e favorshme, në përputhje me modelin mesdhetar; shkëmbimet me vendet e huaja me anë të migracionit ishin pothuaj zero dhe lëvizjet nga një rajon te tjetri në vend ishin shumë të kufizuara. Në çdo fazë të këtij procesi të butë, e ardhmja e popullsisë ishte (dhe s’kishte si të ishte ndryshe) e lehtë për t’u parashikuar nga ekstrapolimi i tendencave të vazhdueshme.
Vitet 90-të e ndryshuan në mënyrë të konsiderueshme këtë pamje. Rënia e lindshmërisë ka shkuar drejt niveleve që janë më afër standarteve evropiane, emigracioni ishte në shkallë të gjerë, dhe ka lënë gjurmë të forta në piramidën e moshës, migracioni i brendshëm e ka ndryshuar shumë ekuilibrin midis rajoneve të vendit. Kriza ekonomike dhe politike i ka theksuar shumë tendencat ekzistuese, megjithatë, është vështirë të dallohen njëra nga tjetra.

Çfarë synon Censi?

Censi synon t’u ofrojë kuvendit, qeverisë, njësive të vetëqeverisjes vendore, organizatave ekonomike, shkencore e kulturore, si dhe gjithë shoqërisë civile të dhëna të besueshme statistikore, të nevojshme për planifikimin dhe realizimin e politikave të përgjithshme të zhvillimit, për analiza private e publike të vendimmarrjes, kërkime shkencore dhe, në përgjithësi, për përmirësimin e njohjes e të kuptuarit nga shtetasit të realitetit demografik, ekonomik dhe shoqëror të vendit.

Censi ofron të dhëna për:

  • numrin dhe shpërndarjen gjeografike të popullsisë vendbanuese;
  • strukturën demografike dhe karakteristikat kryesore të popullsisë;
  • numrin, shpërndarjen gjeografike dhe strukturën e banesave e të ndërtesave që përdoren për qëllime banimi;
  • kushtet e strehimit të popullsisë.

Fakte rreth Censeve në Shqipëri

  • Censi i parë u realizua në Mars të 1918 dhe u organizua nga eksperti hungarez i statistikave, Franz Seiner me bazë në Graz. Të gjitha materialet e regjistrimit ishin vendosur në Shkodër si selia e administratës ushtarake Austro-Hungareze.
  • Prej ekzistencës së Shtetit Shqiptar deri me sot janë kryer 11 cense.
    1. Censi i 1923 është censi i parë i Popullsisë i kryer nga administrata e shtetit shqiptar;
    2. Censi i 1930 u realizua me deklarim të lirë të moshës për shkak të mungesës së dokumenteve të identifikimit;
    3. Censi i 1945 i kryer në një ditë (“dita me ndalim qarkullimi”) u realizua më 30 Shtator;
    4. Censi i 1950 realizoi rindërtimin e regjistrit të gjendjes civile;
    5. Censi i 1955 pati si risi përfshirjen e pyetjeve të reja për migrimin e brendshëm;
    6. Censi i 1960 kreu censin e Popullsisë dhe atë të Banesave në të njëjtën ditë;
    7. Censi i 1969 përfshiu më shumë pyetje në lidhje me karakteristikat sociale ekonomike të popullsisë;
    8. Censi i 1979 për herë të parë përfshiu pyetje për fëmijët e lindur dhe ata akoma gjallë;
    9. Censi i 1989 ishte i pari census që filloi të ndiqte metodologji ndërkombëtare ku ka ndjekur pjesërisht rekomandimet e Kombeve të Bashkuara;
    10. Censi i 2001 ishte me deklarim të lirë dhe shtoi pyetje për migrimin ndërkombëtar;
    11. Censi i 2011 ishte në përputhje të plotë me rekomandimet ndërkombëtare. U mblodh informacion për përkatësinë fetare dhe përkatësinë etnike bazuar në deklarimin vullnetar të çdo individi. Gjithashtu risi ishte përdorimi i hartës dixhitale përmes Sistemit Informativ Gjeografik .

Censi i ardhshëm 2020 dhe risitë e tij krahasuar me 2011

Në Shqipëri është zhvilluar me censi i fundit i Popullsisë dhe Banesave në Tetor të vitit 2011. Në Dhjetor të vitit 2011 u publikuan rezultatet paraprake ndërsa në Dhjetor të vitit 2012 u publikuan Rezultatet Finale, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2013 publikoi rezultatet sipas Qarqeve si dhe në Maj të vitit 2014 publikoi Analizat e Thelluara të Cens-it 2011; Buxheti i akorduar për Cens-in 2011 ishte 16.7 milion Euro.
Më 1 tetor 2011 popullsia banuese e Shqipërisë ishte 2.821.977 banorë. Vihet re një rënie në numrin e popullsisë afërsisht prej 8,0 % në krahasim me Cens-in e vitit 2001, ku popullsia e numëruar ishte 3.069.275 banorë.

Cens-i ardhshëm i Popullsisë dhe Banesave që pritet të realizohet në vitin 2020 ka një kosto prej 15.8 million €, do të përdoret metoda tradicionale, derë-më-derë, përmes intervistave me pyetësorë, por ndryshe nga Cens-i 2011 i cili u zhvillua me pyetësorë letër, në 2020 do të përdoren tableta.

Censi 2020 do të shërbejë si bazë për kalimin nga metoda tradicionale drejt metodave të bazuara në regjistra pas vitit 2021. Mbështetja e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) do të sigurojë që elementet e nevojshëm për ngritjen e regjistrave statistikor, të inkorporohen dhe të testohen në terren, duke përfshirë edhe Cens-in Pilot.

Gjatë Tetorit dhe fillimi i Nëntorit në Tiranë u krye Piloti i Cens-it 2020

Censi pilot është një test gjithëpërfshirës i të gjitha procedurave të censit. Karakteristikat thelbësore të një censi pilot janë mbulimi i një ose më shumë ndarjeve administrative të konsiderueshme dhe ekzekutimi i fazave përgatitore, të regjistrimit dhe përpunimit të regjistrimit, me anë të të cilave ai teston përshtatshmërinë e të gjithë planit të censit dhe të organizimit të censit. Për t'i shërbyer më mirë këtij qëllimi, kushtet në censin pilot duhet të jenë sa më afër të jetë e mundur me ata që do të jenë të pranishëm gjatë numërimit aktual.

Qëllimi kryesor i Censit Pilot është që të provojë në kushte reale hartografinë, metodologjinë, strukturën organizative, sistemin CAPI, planifikimin logjistik dhe ndërveprimin midis të gjitha burimeve të planifikuara për t'u angazhuar në vetë regjistrimin aktual.

Censi Pilot ka filluar të mbahet në 1 tetor 2019 në një kampion prej 100 zonash regjistrimi, ZC, duke përfaqësuar rreth 12,500 NjEF si dhe dy banesa kolektive. Kjo madhësi kampioni do të mund të sigurojë konkluzione te sakta mbi përshtatshmërinë e hartografisë, metodologjisë, organizimit, fushaten sensibilizuese, sistemin CAPI si dhe planin logjistik. Procesi i censit përfundoi brenda 6 javëve dhe një anketues ishte përgjegjës për 2 ZC. Numri i bashkive të zgjedhura ishte 10 dhe kanë si ZC urbane ashtu edhe rurale, respektivisht 58 ZC urbane dhe 42 ZC rurale. Bashkitë ku u krye Censi Pilot dhe numri i respektiv i ZC-ve, për secilën bashki ishin:

  1. Tiranë, 20 ZC ;
  2. Durrës, 20 ZC;
  3. Shkodër, 12 ZC;
  4. Vlorë, 14 ZC ;
  5. Himarë, 2 ZC;
  6. Kolonjë, 10 ZC;
  7. Malësi e Madhe, 2 ZC;
  8. Kukës, 10 ZC;
  9. Maliq, 8 ZC;
  10. Pustec, 2 ZC;