Strehimi Social

Strehimi social nënkupton administrimin dhe planifikimin e programeve sociale për strehimin, me qëllim krijimin e mundësive për strehim të përshtatshëm dhe të përballueshëm, duke u mbështetur në aftësitë paguese të familjeve që kanë nevojë për strehim dhe për ndihmën e shtetit.

Aktualisht në Bashkinë Tiranë janë tre Programe të Strehimit nga të cilat përfitojnë qytetarët :

  1.  Programi i Subvencionimit të Interesave të Kredisë është shuma në të holla që përfiton individi/familja nga institucionet shtetërore, me qëllim mbulimin e interesave të kredisë, të marrë me kushte lehtësuese për blerjen e banesave me kosto të ulët.( Ligji 22/2018; Neni 2; Pika 43 )
  2. Programi i Banesave Sociale me Qira është banesa që jepet me qira, në pronësi publike, nga fondi publik i banesave sociale.( Ligji 22/2018; Neni 2; Pika 6 )
  3.  Programi i Subvencionimit të Qirasë  është shuma e të hollave që jepet nga institucionet shtetërore për llogari të përfituesit, me qëllim mbulimin e pjesës së qirasë, e cila nuk përballohet me të ardhurat e përfituesit. ( Ligji 22/2018; Neni 2; Pika 42 )

Grafiku më poshtë paraqet numrin e të pastrehëve referuar numrit të përfituesve për programet e strehimit social për periudhën 2018-2023.

Programi i Subvencionimit të interesave të kredisë synon të mbështesë blerjen e shtëpive të para, me qëllim përmirësimin e kushteve të tyre të jetesës, nëpërmjet kredive hipotekore me kushte lehtësuese, e cila jepet për strehim dhe një pjesë e interesave subvencionohen nga Bashkia Tiranë. Prioritet kanë aplikuesit e rinj me moshë 25-35 vjeç, referuar nenit 16 shkronja b) nënndarja v) të ligjit Nr. 22/2018 “Për strehimin social” i ndryshuar.

Në vitet ku ky program ka gjetur zbatim në Bashkinë Tiranë dhe ka qenë e përfshirë kjo kategori të dhënat janë si më poshtë:

  • Viti 2020 – 248 përfitues
  • Viti 2022 – 265 përfitues