Çfarë është Censi?

Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 do të jetë Censi i 12-të, që kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur në vitin 1912, ku Censi i parë u krye në vitin 1923. Që prej Censit të vitit 1989, metodologjia e tij ka ndjekur gjithnjë e më shumë rekomandimet ndërkombëtare për kryerjen e Censit. Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 synon të jetë në përputhje të plotë me rekomandimet e Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Evropën (UNECE) për raundin e vitit 2020 të Censeve dhe gjithashtu me rregulloret e fundit të BE-së për zbatimin Censit të Popullsisë dhe Banesave.

Censi i Popullsisë dhe Banesave ofron të dhëna mbi numrin zyrtar të popullsisë në një vend, në njësinë më të vogël gjeografike, së bashku me informacionin mbi një numër të zgjedhur të karakteristikave demografike, sociale dhe ekonomike të popullsisë. Në mënyrë të ngjashme, Censi i banesave ofron  numërimin zyrtar të të gjitha banesave në vend në njësinë më të vogël gjeografike, së bashku me informacionin mbi një numër të zgjedhur të karakteristikave të banesave.

Publikimi dhe shpërndarja

INSTAT do të përdorë disa kanale shpërndarje për të dhënat e Censit:

  1. Përgatitja e publikimeve me rezultatet kryesore të Censit bazuar në planin e tabulimeve, i cili do të mundësojë gjithashtu edhe krahasimin me Censet e kaluara;
  2. Në web – në seksionin e dedikuar të Censit do të bëhen publike të gjitha tabelat me rezultatet kryesore;
  3. Databazën statistikore – e cila do të mundësojë kombinimin e të dhënave të ndryshme të Cens sipas nevojave të përdoruesve;
  4. Përgatitja e tabelave specifike sipas kërkesave nga përdoruesit;

Mikrodatat do të bëhet publike për përdoruesit për qëllime shkencore duke respektuar rregulloren e aksesit në mikrodata të INSTAT.

Kur do të publikohen të dhënat?

  • Qershor 2024: Lancimi i rezultateve përfundimtare të Censit në nivel kombëtar
  • Tetor 2024: Lancimi i rezultateve përfundimtare të Censit në nivel qarku/bashkie
  • Dhjetor 2024: Të dhënat e Censit dhe metadatat i dërgohen Eurostat-it
  • Qershor 2024 – 31 Dhjetor 2025: Analizat tematike mbi tematika të ndryshme
  • Dhjetor 2025: Mikrodata në dispozicion për përdoruesit e jashtëm.