Situata e bizneseve në Tiranë, Tremujori II 2024

Numri i bizneseve që operojnë në Tiranë për Tremujorin II 2024 ka qenë 66,221 subjekte duke shënuar një rritje të lehtë me rreth 1.8% krahasuar me Tremujorin I 2024 dhe me 3.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Biznesi i vogël përbën 68.4% të subjekteve që zhvillojnë aktivitetin e tyre ne Tiranë. Gjatë kësaj periudhe, rritje më të madhe ka patur kategoria “Biznes i madh” me 10.5% krahasuar me Tremujorin II 2023.

Gjatë Tremujorit II 2024, rreth 68.87% e subjekteve që operojnë në Tiranë kryejnë aktivitete shërbimi dhe shitje me pakicë. Rritje më të madhe, prej 5.4%, kanë patur subjektet që operojnë në fushën e transportit. Ulje kanë patur “Ambulantët” (me 2.4%), “Profesionet e Lira” (me 0.4%) dhe “Njësitë e Prodhimit” (me 0.4%). Një panoramë më të gjerë jep grafiku i mëposhtëm.

Për sa i përket shpërndarjes gjeografike, rreth 83.1% e bizneseve në Tiranë operojnë në Njësitë Administrative urbane dhe 16.9% në Njësitë Administrative rurale. Ndër njësitë rurale ku operojnë më shumë biznese janë Njësitë Administrative Kashar, Farkë dhe Dajt.