Siguria publike në Bashkinë e Tiranës, Viti 2024

Misioni dhe përgjegjësitë e Policisë Bashkiake përcaktohen në Nenin 2 të ligjit nr 89/2022   “Për Policinë  Bashkiake”, në të cilin shprehet se: “Policia Bashkiake ka si mision ushtrimin e funksioneve në shërbim të sigurisë, qetësisë dhe rendit në komunitet, mbarëvajtjes së punëve publike, mirë administrim të hapësirave publike dhe mbrojtjes së mjedisit në territorin e juridiksionit të saj”.

Për periudhën Janar-Dhjetor 2024,  numri i gjobave të qarkullimit rrugor të vendosura nëpërmjet sistemit e-gjoba është 477 247 ose mesatarisht 39 770 gjoba në muaj. Në muajin Maj janë vendosur më shumë gjoba, 47 861 të tilla dhe më pak në muajin Gusht, 27 948 të tilla. Rreth 88.5% e gjobave të vendosura nuk e kanë të përcaktuar adresën e vendbanimit të personit që ka kryer shkeljen. Për sa i përket gjobave me adresë të përcaktuar, nga përpunimi i të dhënave vihet re se Njësia Administrative Nr. 5 është Njësia në të cilën janë vendosur më shumë gjoba, rreth 32.14% e totalit. Kjo shifër shpjegohet me faktin që Njësia Nr.5 është zona më e frekuentuar në kryeqytet, për rrjedhojë e sipërfaqes dhe popullsisë më të madhe që ka në krahasim me Njësitë e tjera Administrative të Bashkisë Tiranë.

Grafiku i mëposhtëm paraqet numrin e gjobave të qarkullimit rrugor për çdo muaj të vendosura nga Policia Bashkiake nëpërmjet sistemit e-gjoba.

Mbrojtja nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSH) përfaqëson strukturën bazë operuese dhe inspektuese në fushën e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin në territorin që ka në juridiksion. Misioni i këtij shërbimi është inspektimi, parandalimi, me masat e mbrojtjes nga zjarri, ndërhyrja për shuarjen e zjarreve, shpëtimi i jetës, gjësë së gjallë, pronës, mjedisit, pyjeve dhe kullotave në aksidente të ndryshme, fatkeqësi natyrore, si dhe në ato të shkaktuara nga dora e njeriut.

Aktualisht numri i Stacioneve Zjarrfikëse në Bashkinë e Tiranës është 7, me adresat e mëposhtme:

  1. Stacioni “21 Dhjetori”
  2. Stacioni “Kinostudio”
  3. Stacioni “Kombinat”
  4. Stacioni “Qyteti Studenti”
  5. Stacioni “Instituti Bujqësor
  6. Stacioni “Mëzez”
  7. Stacioni “Tuneli Krrabës”

Numri i Automjeteve Zjarrfikëse në Bashkinë Tiranë është 20 automjete ndërsa numri i efektivëve të mbrojtjes nga zjarri është 166 punonjës (zjarrfikës, kryezjarrfikës, inspektor, kryeinspektor, komisar, etj).

Gjatë periudhës Janar-Dhjetor 2024 janë kryer 1444 ndërhyrje operacionale për zjarre, 1034 ndërhyrje për shpëtim, 1514 inspektime parandalimi si dhe janë vendosur 830 masa parandaluese si gjoba, bllokime, kallëzim penal etj. 

Grafiku i mëposhtëm krahason ndërhyrjet e kryera për periudhën Janar-Dhjetor të viteve 2023 dhe 2024 sipas muajve përkatës. Për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar krahasuar me këtë vit shihet një rritje e ndërhyrjeve të kryera me 15,7%. Stina e verës është periudha me ndërhyrjet më të larta të kryera si pasojë dhe e temperatrurave të larta. Për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar (Qershor-Korrik-Gusht) këtë vit janë kyer 227 ndërhyrje më shumë. Si në vitin 2023 dhe në vitin 2024 muaji me ndërhyrjet më të larta është muaji Gusht, përkatësisht me 118 ndërhyrje në vitin 2023 dhe 227 ndërhyrje në vitin 2024.