Zoo Park Tirana

Zoo Park Tirana 2022 është një hapësirë e transformuar dhe rikonceptuar si një mjedis i përshtatshëm për kafshët por edhe për argëtimin e fëmijëve.
Sipërfaqja totale e Kopshtit është rreth 5.97 ha, nga të cilat 4.35 ha janë sipërfaqe e gjelbër, 1.3 ha janë sipërfaqe ujore e përbërë nga basene të vegjël me ujë, 0.8 ha zihen nga rrugë dhe sheshe të vogla dhe 0.14 ha janë sipërfaqe ndërtimi të destinuara për kafshët dhe shpendët.

Përveç hapësirave të veçanta për kafshët dhe shpendët ka dhe hapësira të tjera me qëllim argëtues ku përfshihen zona pikniku përgjatë itinerareve të lëvizjes, hapësira të gjelbra të lira nga strukturat dhe të veçuara për vizitorët, kënde lojërash për ta bërë sa më të pasur eksperiencën për fëmijët dhe prindërit. Qëllimi është që vizita në Kopshtin Zoologjik të jetë një aktivitet që zgjat gjithë ditën, duke e bërë edhe më të lehtë me parkingun nëntokësor për vizitorët.

Një hapësirë e veçantë në Zoo Park i është dedikuar klasave didaktike. Këto mjedise do të mirëpresin nxënës dhe studentë duke u ofruar mundësi për të eksploruar botën e larmishme të kafshëve.

Vetëm gjatë 10 ditëve të para të hapjes së Zoo Park Tirana 2022 janë shitur rreth 35, 000 bileta. Kopshti është vizituar nga fëmijë e prindër por edhe nga grupet e nxënësve të shkollave të Tiranës dhe të rretheve të tjera.  Ditët më të frekuentuara kanë qenë e shtuna dhe e djela, si ditë pushimi ku prindërit e fëmijët kanë më shumë kohë në dispozicion. Kopshti mund të vizitohet çdo ditë nga e marta në të djelë, pasi dita e hënë është pushim.