Numri i bizneseve që operojnë në Tiranë për vitin 2024 ka qenë 69,232 subjekte, duke shënuar një rritje rreth 5.8% krahasuar me vitin 2023 i cili ka qenë 65,436 subjekte.
Gjatë vitit 2024, bizneset e vogla zënë një përqindje prej 69.2% të totalit të subjekteve. Në krahasim me vitin 2023 ku “Bizneset e Vogla” zinin një përqindje prej 69.7% të subjekteve.. Pra, vihet re një rënie prej 0.5%. Rritje më të madhe ka kategoria “Biznes i Madh” me 1.5% krahasuar me vitin 2023.

Për sa i përket aktivitetit që kryejnë, rritje më të madhe kanë patur subjektet që operojnë në fushën e transportit me 19.52%. Ndërkohë, vihet re ulje në kategoritë “Ambulantët” (me 2.38%), “Profesionet e Lira” (me 1.36%) si dhe “Të tjera” (me 4.17%). Një panoramë më të gjerë jep grafiku i mëposhtëm.

Sipas shpërndarjes gjeografike, në vitin 2024, rreth 86.2% e bizneseve në Tiranë operojnë në Njësitë Administrative Urbane dhe 13.8% në Njësitë Administrative Rurale. Në ndryshim me vitin 2023, kemi një ulje me 0.3% të bizneseve që operojnë në Njësitë Administrative Urbane dhe një rritje me 0.3% në Njësitë Administrative Rurale. Numri më i lartë i bizneseve për vitin 2024 është në Njësinë Administrative Urbane me 59,691 biznese, ku pjesa më e madhe janë të përqëndruara në Tirana Qendër. Në Njësinë Administrative Rurale, Kashari është zona me numrin më të lartë të bizneseve me 5,745 të tilla, duke zënë 8.3% të totalit të tyre.