Bashkia e Tiranës ka vendosur në tri pika të kryeqytetit tabela elektronike, të cilat numërojnë biçikletat që kalojnë. Këto pika gjenden në:
- Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”
- Rruga e Kavajës
- Rruga “Luigj Gurakuqi”
Dy të parat kanë nisur të funksionojnë në Janar 2021, ndërsa e treta në Shtator 2021.
Sipas platfomës Eco-Visio, që gjeneron të dhënat e këtyre tabelave, gjatë periudhës Janar-Dhjetor 2024 në këto 3 pika kanë kaluar gjithsej 2,180,474 biçikleta ose 5,948 biçikleta mesatarisht në ditë. Pika më e frekuentuar është Rruga e Kavajës ku kanë kaluar 1,188,108 biçikleta, ndërsa pika më pak e frekuentuar është Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, përgjatë së cilës kanë kaluar gjithsej 148,186 biçikleta. Duhet theksuar se kjo pikë në muajt Shkurt dhe Mars ka patur një defekt, e për rrjedhojë platforma Eco-Visio nuk ka gjeneruar të dhëna.

Dita me fluksin më të lartë të kalimit të biçikletave ka qenë më datë 31 Tetor 2024, ku në pikën e vendosur në Rrugën e Kavajës kanë kaluar 4,719 biçikleta.
Muaji Tetor është muaji ku biçikletat janë përdorur më shumë në pikat në Rrugën e Kavajës dhe Rrugën “Luigj Gurakuqi”, ndërsa në pikën tek Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” më shumë biçikleta kanë kaluar në muajin Maj. Dita më e frekuentuar gjatë kësaj periudhe ka qenë e e mërkura për të treja pikat. Piku i lëvizjes është në mëngjes rreth orës 8:00 dhe në pasdite rreth orës 4:00 – 5:00. Në fundjavë piku i lëvizjes është paradite rreth orës 11:00 dhe në pasdite rreth orës 8:00.
Grafiku i mëposhtëm paraqet numrin e biçikletave që kanë kaluar në secilën pikë përgjatë muajve Janar-Dhjetor 2024.
