Administrata e Bashkisë Tiranë

Ndryshimet ligjore

Viti 2014 shënoi ndryshime në organizimin administrativo-territorial të Shqipërisë. Më 31 korrik 2014, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin 115/2014 “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”, sipas të cilit organizon territorin dhe qeverisjen vendore në vetëm 61 bashki. Synimi kryesor i Reformës Administrative- Territoriale ishte

  • përmirësimi i qeverisjes,
  • aksesi i plotë dhe cilësor i qytetarëve në shërbime publike,
  • demokracia lokale, dhe
  • zhvillimi ekonomik lokal në dy drejtime
    • konsolidimin e territorit (bashkim të njësive vendore si në nivelin e parë – bashki/komuna dhe në nivelin e dytë – qarqet), dhe
    • ndarjen dhe qartësimin e funksioneve dhe kompetencave midis niveleve të qeverisjes me synim thellimin dhe konsolidim e decentralizimit.

Struktura e Bashkisë së Tiranës

Administrata e Bashkisë përbëhet nga

  • funksionarët (jo nëpunës civil),
  • nëpunësit civilë marrëdhëniet e të cilëve rregullohen nga Ligji 152/2015 “Për nëpunësin civil”, dhe
  • punonjësit, marrëdhëniet e të cilëve rregullohen nga Kodi i Punës (i ndryshuar).

Në krye të administratës qëndron Kryetari i Bashkisë, i cili gjatë punës së tij ndihmohet nga katër Zv/Kryetarë dhe Kabineti i Kryetarit (Drejtori i Kabinetit dhe Këshilltarët e Kryetarit) janë funksionarë (jo nëpunës civil). Administrata e Bashkisë së Tiranës është e organizuar në drejtori të përgjithshme, drejtori, sektorë, zyra dhe njësi. Struktura dhe organika përfundimtare e Aparatit të Bashkisë Tiranë, miratohet me Urdhër Kryetarit të Bashkisë Tiranë, numri total i Organikës Përfundimtare të Aparatit të Bashkisë Tiranë miratohet nga Këshilli Bashkiak, me propozim të Kryetarit të Bashkisë.
Nivelet e shërbimit civil sipas rradhës hierarkike, janë:

  • a. Drejtor i Përgjithshëm,
  • b. Drejtor Drejtorie,
  • c. Përgjegjës Sektori/Zyre/Njësie,
  • d. Specialist.

Drejtoritë e Përgjithshme kanë në përbërjen e tyre dhe janë përgjegjës për mbarëvajtjen e disa drejtorive, sipas strukturës administrative të miratuar. Drejtoritë janë njësi bazë të strukturës organizative të Bashkisë së Tiranës dhe përgjigjen për përmbushjen e detyrave të një ose disa fushave të caktuara, sipas funksioneve të përcaktuara me ligj ose akte nënligjore për Bashkinë e Tiranës. Sektorët, zyrat dhe njësitë përgjigjen për aspekte të veçuara të këtyre elementëve.

Aparati qendror dhe Njësitë administrative të Bashkisë Tiranë

Në Gjashtëmujorin I 2024, administrata e të Bashkisë Tiranë llogaritet në 1,525 punonjës, nga ku 69.9% janë femra dhe 30.1% meshkuj. Rreth 64.7% e punonjësve shërbejnë në aparatin qendror dhe pjesa tjetër prej 35.2% në 24 njësitë adminstrative të bashkisë dhe tre lagjeve të krijuara në 2018. Si në aparatin qëndror dhe njësitë administrative, janë femrat që dominojnë, por diferenca është më e vogël në njësitë administrative.

Struktura e punonjësve, Janar-Qershor 2024

Nëse shohim strukturën e punonjësve gjithsej të Bashkisë Tiranë, në periudhën Janar-Qershor 2024 vihet re se:

  • Femrat përbëjnë 69.9% të punonjësve,
  • Në njësitë administrative janë punësuar 35.2% e punonjësve,
  • Specialistët përbëjnë rreth 64.5% të totalit të punonjësve,
  • Rreth 59.8 % e gjithë punonjësve i përkasin grupmoshës 20-40 vjeç,
  • Mosha mesatare e punonjësve të Bashkisë llogaritet 40.3 vjeç,
  • Rreth 93.9% e të punësuarëve kanë arsim të lartë dhe pasuniversitar.