Statistikat zyrtare

Statistikat zyrtare

Statistikat zyrtare janë statistika të prodhuara brenda një sistemi kombëtar statistikor. Sistemet kombëtare statistikore përfshijnë organizata statistikore dhe njësi brenda një vendi që bashkojnë, përpunojnë dhe shpërndajnë statistikat zyrtare në emër të qeverisë kombëtare. Statistikat zyrtare zakonisht mblidhen brenda një kornize ligjore, dhe në përputhje me parimet themelore që sigurojnë standarde minimale profesionale, siç janë pavarësia dhe objektiviteti.

  • Për Bashkimin Evropian, korniza ligjore bazohet në rregulloren evropiane (KE) Nr. 223/2009 dhe grupi i parimeve quhet Kodi i Praktikës së Statistikave Evropiane.
  • Për Shqipërinë korniza ligjore bazohet në Ligjin Nr 17/2018 “Për Statistikat Zyrtare” dhe në Programin Kombëtar të Statistikave.

Me përkufizim: Statistika zyrtare është informacioni sasior dhe përfaqësues për situatën ekonomike, sociale dhe mjedisore në Shqipëri, i prodhuar nga INSTAT-i dhe agjencitë statistikore, në kuadër të programit të statistikave zyrtare.

Po si organizohet Sistemi Statistikor në Shqipëri?

Sistemi Kombëtar Statistikor përbëhet nga prodhuesit e statistikave zyrtare që ushtrojnë aktivitet brenda Republikës së Shqipërisë, të cilët mbledhin, përpunojnë dhe publikojnë statistika zyrtare, sipas programit të statistikave zyrtare. Prodhues të statistikave zyrtare janë INSTAT-i, Banka e Shqipërisë dhe autoritetet e tjera publike si Ministria e Financave dhe Ekonomisë, të autorizuara të prodhojnë dhe të publikojnë statistika zyrtare, sipas programit të statistikave zyrtare lidhur me fushat e përcaktuara me ligj. Programi i Statistikave zyrtare është program pjesëvjeçar, njihet ndryshe si PSZ dhe aktualisht është në fuqi PSZ 2017-2021.

Programi përcakton strategjinë e zhvillimit të statistikave zyrtare dhe Sistemit Kombëtar Statistikor për periudhën pesëvjeçare, duke synuar përmbushjen e kërkesave të përdoruesve për statistika cilësore dhe përgatitet nga INSTAT-i në bashkëpunim me agjencitë statistikore, duke marrë në konsideratë opinionin e Këshillit të Statistikave, dhe i dërgohet Këshillit të Ministrave për t’ia propozuar Kuvendit. Sistemi Kombëtar Statistikor përfaqësohet nga Drejtori i Përgjithshëm i INSTAT-it dhe koordinohet nga INSTAT-i për të siguruar që të gjithë prodhuesit e statistikave zyrtare përdorin standardet, konceptet, përkufizimet, klasifikimet dhe metodologjitë statistikore të miratuara nga Kombet e Bashkuara dhe Eurostat-i, aty ku është e mundur.

Statistikat e Bashkisë Tiranë

Statistikat e bashkisë Tiranë shërbejnë si evidenca dhe raportime por nuk janë ende pjesë e Sistemit Kombëtar të Statistikave Zyrtare. Drejtoria e Inovacionit dhe të Dhënave pranë Drejtorisë së Teknologjisë së Informacionit dhe Statistikave është pjesë e grupit të punës dhe po punojnë mbi draftimin e një strategjie për të respektuar dhe përmbushur më së miri, standardet, konceptet, përkufizimet, klasifikimet dhe metodologjitë statistikore në kuadër të Strategjisë së Sistemit Kombëtar Statistikor 2020-2030 dhe mbi Planet e Veprimit 2020-2023 për të shërbyer si një burim zyrtar statistikash.