Statistikat për fillestarët

Statistikat për fillestarët

Në pamje të parë, statistikat mund të jenë të vështira për t'u kuptuar. Qëllimi i këtij blog-u është ti bëjë statistikat më të lehta për tu kuptuar si nga përdoruesit e pafamiljarizuar edhe për të gjithë ata që kanë interes për statistikat. Me përkufizim, Statistika është informacioni sasior dhe cilësor, i përmbledhur dhe përfaqësues që karakterizon një dukuri kolektive në një popullatë të dhënë.

Hyrje

Statistikat zyrtare shërbejnë si bazë për vendimet e politikanëve dhe politikë-bërësit sepse shoqëritë demokratike nuk mund të funksionojnë siç duhet pa një bazë të fortë të statistikave të besueshme dhe objektive. Sidoqoftë, statistikat nuk janë vetëm për vendimmarrësit, ato na duhen secilit prej nesh! Statistikat mund t'u përgjigjen pyetjeve të shtruara në raste të ndryshme në jetën e përditshme: A po zhvillohet vendi im? Si dhe sa shpejt? A është papunësia e lartë apo jo? A ka më shumë emetime të CO2 krahasuar me dhjetë vjet më parë? Sa gra kanë një punë? Si po ecën ekonomia e qytetit tim me qytetet e tjera? Po ekonomika e vendit tim në krahasim me shtetet e tjera anëtare të BE-së?

Rendësia

Statistika është shkenca e të mësuarit nga të dhënat. Si disiplinë merret me mbledhjen, përpunimin, analizimin dhe interpretimin e të dhënave, si dhe komunikimin dhe prezantimin efektiv të tyre. Statistikat duhet të jenë në zemër të çdo lloj arsyetimi sasior të nevojshëm për të bërë përparime/reforma të rëndësishme.
Tradicionalisht, statistikat kanë të bëjnë me mbledhjen e të dhënave dhe përpunimin e asaj që mund të na tregojnë numrat. Sot, sasi të mëdha të të dhënave po transformojnë botën dhe mënyrën se si jetojmë në të. Metodat statistikore dhe teoritë matematikore përdoren kudo, nga shëndetësia, shkenca dhe biznesi, deri në menaxhimin e trafikut dhe studimit të qëndrueshmërisë dhe ndryshimit të klimës. Kjo, nga ana tjetër, ka krijuar nevojën për një bashkëpunim shumë më të ngushtë midis statistikës, matematikës, shkencave kompjuterike dhe shkencave të fushave të tjera duke krijuar kështu termin “Shkenca e të dhënave ”.

Për të qenë në gjendje të kuptojmë më mirë statistikat, disa koncepte themelore duhet të shpjegohen dhe ky është qëllimi. E rendësishme është të dallohen të dhënat nga statistikat. Një vëzhgim është një fakt që mblidhet rreth një treguesi të caktuar dhe mund të shprehet si numër (psh 25) ose si cilësi (psh Njësia Farkë). E dhëna më tej përpunohet për tu përkthyer në statistika ku interpretimi i të cilave përktheht në njohuri.

Mbledhja e të dhënave
Për të mësuar më shumë rreth karakteristikave të një grupi njerëzish, ekonomish familjare, ndërmarrje etj.ka nevojë për të dhëna. Të dhënat mund ti sigurojmë nga të tretë duke përdorur burimet administrative të të dhënave ose nëpërmjet vrojtimeve. Mjetet e nevojshme për një vrojtim janë regjistrimet, regjistrat dhe anketimet.

  • Në një regjistrim ose census, të dhënat për të gjitha njësitë individuale (p.sh. njerëzit ose familjet, bizneset etj) janë mbledhur për gjithë popullatën. Pra popullata është tërësia e njësive që duam të kemi një statistikë apo të dhënë.
  • Regjistrat ose bazat e të dhënave, që përmbajnë zakonisht informacione për një grup të plotë njësish, krijohen nga regjistrimet ose burimet administrative ose censuset dhe sigurojnë informaicon për tërësinë e popullatës. Lind nevoja që regjistrat duhet të përditësohet vazhdimisht. Një shembull është një regjistri që përmban informacione për të gjitha bizneset në një vend; ky quhet regjistri i biznesit. Ai përmban informacione për emrin, adresën, punësimin, qarkullimin, pronësinë etj. të bizneseve në vend dhe ka nevojë të vazhdueshme të përditësohet me bizneset e reja që krijohen dhe ato që mbyllen çdo vit. Një regjistër i tillë më pas mund të përdoret si bazë për regjistrimin ose zgjedhjen e një kampioni përfaqësues për një studim (anketim ose vrojtim) kur duam të njohim karakteristika shtesë nga ky grupim.
  • Në një anketim (vrojtim), të dhënat mbledhen vetëm për një nën-pjesë të popullatës; kjo pjesë quhet mostër ose kampion. Këto të dhëna më pas përdoren për të vlerësuar karakteristikat e tërë popullatës nëpërmjet peshimit. Peshimi është rëndësia e një objekti në lidhje me një grup objektesh të cilit i përket. Një peshë përfaqësohet si një koefiçient numerik i bashkëngjitur një vëzhgimi, shpesh duke shumëzuar, në mënyrë që të marrë një shkallë të dëshiruar të rëndësisë në funksion të të gjitha vrojtimeve të grupit pra popullatës. Duhet të sigurohemi që kampioni është përfaqësues i popullatës në fjalë dhe të pasqyrojë realitetin në popullsinë e përgjithshme.

Vlefshmëria

Vlefshmëria e të dhënës lidhet me plotshmërinë dhe cilësinë. Është thelbësore që si gjatë procesit të grumbullimit dhe para përpunimit të sigurohet cilësia e të dhënave të mbledhura dhe plotshmëria e tyre.
Cilësia e të dhënave realizohet nga kontrollet dhe krahasimet që mund të bëhen të dhënave nëpërmjet:

  • një kontrolli të brendshëm (kur ka gjithsej dhe nëndarje ose kur ka të dhëna që lidhen me njëra tjetrën);
  • kontrolli me periudha të mëparshme të mbledhura;
  • kontrolli me burime të tjera informacioni;
  • kontrolli me popullata të ngjashme brenda apo jashtë vendit.

Pasi identifikohet ndonjë gabim në raportim apo mungesë ka një sërë procedurash që duhen ndjekur për plotësim dhe pastrimin përfundimtar të të dhënave.

Përpunimi

Të dhënat mbasi mblidhen përpunohen në funksion të përmbushjes së qëllimit të mbledhjes dhe përkthimit në statistika. Procedurat e mbledhjes variojnë nga më të thjeshtat në ato më komplekset. Disa procedura përpunimi janë agregimi apo grupimi, llogaritja e treguesve të prejardhur etj.

Grupimi, si një proces në të cilin numrat janë mbledhur për qëllime statistikore dhe shprehen si një numër. Kjo mund të jetë në formën e një totali ose një mesatare. Një shembull është bashkimi i njësive administrative të Tiranës për popullsinë e bashkisë, ku shifrat për popullsinë totale të secilës njësi shtohen në total për tërë bashkinë. Grupimet përdoren shumë shpesh në statistika, kryesisht për të treguar një gjithsej ose një mesatare. Përqindjet apo pesha që ze një grupim i caktuar llogariten mbi bazën e gjithsejit të atij grupimi.

Në statistikat zyrtare për të patur grupime të krahësueshme në kohë dhe midis vendeve të ndryshme përdoren klasifikimet. Klasifikimet janë një mjet për të ndërtuar grupime për popullatën dhe portali jonë ka një blog të dedikuar për klasifikimet.

Llogaritja e treguesve të prejardhur. Më së shumti në statistikat zyrtare treguesi që duam të vlerësojmë detajohet në disa të dhëna për ta bërë më të lehtë raportimin nga njësitë që sigurojnë të dhënën. Për shembull nëse duam të llogarisimin indeksin e papunësisë, pyetja që ju shtrohet popullatës është nëse kanë qenë apo jo të punësuar gjatë tremujorit të fundit, për sa gjatë dhe a është mbi baza të rregullta. Më tej bëhen përpunimet e nevojshme për llogaritjen e treguesve që derivojnë nga të dhënat e mbledhura në përputhje me procedurat dhe standartet në fuqi.

Publikimi

Publikimi është një proces po aq i rëndësishëm sa edhe hapat e sipërpermendura. Mënyra si zgjedh ti paraqitësh dhe komentosh të dhënat e mbledhura ndikojnë në faktin se sa të përdorshme dhe të kuptueshme bëhen statistikat e publikuara. Analizimi dhe interpretimi i drejtë i të dhënës ndikon në një njohuri më të mirë të fenomenit të studiuar për të cilën kryhet i gjithë procesi.

Disa koncepte të rëndësishme që duhet të shoqërojnë çdo statistikë të publikuar janë:

  • Periudha e referencës, periudha e kohës për të cilën mblidhen ose llogariten statistikat. Periudha kohore mund të jetë viti kalendarik (që në Shqipëri korespondon me vitin fiskal), një gjashtëmujor, tremujor, muaj etj. Periudha e referencës duhet të dallohet nga koha e botimit, periudha ose pika në kohën kur publikohen të dhënat statistikore. Koha e publikimit të rezultateve statistikore është më vonë se periudha e referencës për të cilën ato janë mbledhur, për shkak të kohës që duhet për të trajtuar dhe verifikuar të dhënat;
  • Mbulimi i të dhënës i referohet aspektit territorial të të dhënës dhe tregon nëse statistikat janë për njësinë, bashkinë, qarkun apo vendin.
  • Rregullimet që mund ti jenë bërë shifrës. Ka disa tregues që ndikohen sezonalisht dhe duhet sqaruar nëse të dhënës i janë zhveshur efektet sezonale. Tjetër koncept i rregullimeve të bëra janë cash dhe accrual në treguesit financiare.
  • Në rastet e indeksimit është i rendësishëm të shprehet periudha bazë. Një indeks tregon zhvillimin e një numri me kalimin e kohës. Ai nuk shprehet në ton, euro ose ndonjë njësi të përbashkët; tregon vetëm ndryshimin e një vlere nga një moment kohor në një moment tjetër. Për thjeshtësi, vlera e referencës, e cila mund t'i referohet një viti të caktuar (vit bazë), zakonisht vendoset 100. Një vlerë e indeksit prej 110 tregon më pas një rritje me 10% në krahasim me vlerën në periudhën e referencës, ose nëse del 98 atëherë tregon një ulje me 2% në krahasim me vlerën në periudhën e referencës.