Organizimi administrativo-territorial në Shqipëri

Organizimi administrativo-territorial në Shqipëri

Ndarja administrative e Shqipërisë ka pësuar ndryshime të vazhdueshme si për sa i përket shtrirjes gjeografike, ashtu edhe funksioneve të strukturave. Në 31 korrik 2014, me vendim të Parlamentit Shqiptar, u miratua organizimi i ri administrativo-territorial që e ndan vendin në 12 qarqe, 61 bashki dhe nën ndarjet të tjera të parashikuara në ligjin 115/2014 “Për ndarjen administrativo - territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”.

Me ligjin e ri, bashkia e Tiranës formohet nga bashkimi i 13 ish-komunave dhe bashkisë Tiranë, teksa njësitë e mëparshme minibashkiake kanë ndërruar emërtim dhe funksion, pasi tani ato kanë statusin e njësive administrative. Deri në vitin 2014, Bashkia e Tiranës zinte një sipërfaqe për rrëth 41.8 km2 dhe përfaqësonte 3.4 % të rrethit të Tiranës. Me ndarjen e re administrative në 2015 Bashkia e Tiranës ka rritur me 27 herë territorin e saj dhe ka afërsisht një sipërfaqe rreth 1,111 km2. Ndërsa me vendimin e fundit të Këshillit të Ministrave numër 360 i datë 29 Maj 2019 territori i bashkisë Tiranë arrin një sipërfaqe prej 1120.91 km2.

Në Shqipëri, si dhe në shumë vende të Evropës, përtej ndarjes administrative-territoriale përdoren dhe klasifikime të tjera, të njohura ndryshe si rajone ekonomike dhe statistikore. Në përmbushje të detyrimeve në kuadër të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, në Shqipëri zbatohet dhe Nomenklatura e Ndarjes Territoriale për Qëllime Statistikore (NUTS) që e ndan territorin në rajone sipas tre niveleve të ndryshme (përkatësisht NUTS 1, 2 dhe 3), duke lëvizur nga njësitë territoriale më të mëdha drejt atyre më të vogla.

NUTS1 i referohet vendit, Shqipërisë, e cila është e ndarë në 3 rajone statistikore që i korrespondojnë nivelit NUTS 2, dhe në 12 qarqe që i korrespondojnë nivelit NUTS 3. Tre rajonet e nivelit 2 janë:

  • Rajoni Verior që përfshin qarqet: Dibër, Durrës, Kukës, Lezhë dhe Shkodër;
  • Rajoni Qendror që përbëhet nga qarqet: Elbasan dhe Tiranë;
  • Rajoni Jugor që përfshin qarqet: Berat, Fier, Gjirokastër, Korçë dhe Vlorë.

Përtej ndarjes administrative-territoriale dhe rajoneve statistikore, në Shqipëri përdoren dhe klasifikime të tjera. Që nga viti 2015, në Shqipëri janë miratuar me ligj dhe rajonet zhvillimore.

Bazuar në vendimin Nr. 961, datë 2. 12. 2015 “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Agjencisë Kombëtare për Zhvillimin Rajonal, të Agjencive të Zhvillimit Rajonal dhe Agjencisë së Zhvillimit Ekonomik Rajonal”, Shqipëria ndahet në katër rajone zhvillimore:

  • AZHR 1 me qendër në Shkodër;
  • AZHR 2 me qendër në Tiranë;
  • AZHR 3 në Korçë;
  • AZHR 4 me qendër në Vlorë.