Nomenklaturat

Nomenklaturat

Një nga kërkesat bazë në statistikë është ekzistenca e një strukture në përgjithësi të miratuar tek e cila mund të hyjë një gamë e gjerë të dhënash statistikore të disponueshme, në mënyrë që ato të mund të paraqiten dhe analizohen në mënyrë domethënëse. Kjo strukturë njihet si nomenkalturë ose klasifikim. Sistemet e klasifikimit japin një gjuhë të përbashkët për përpilimin dhe paraqitjen e statistikave duke mundësuar krahasueshmërinë e statistikave midis vendeve të ndryshme.

Nomenklaturat/klasifikimet janë instrumenta bazë për sistemimin statistikor të fenomeneve sociale dhe/ose ekonomike dhe është e domosdoshme që ato kohë pas kohe të rishikohen për tiu përshtatur ndryshimeve të mundshme që ndodhin në vazhdimësi. Rishikimi i nomenklaturave njihet me termin revizionim dhe prandaj shpesh për një nomenklaturë të veçantë ka disa revizione të bëra. Revizionimet zakonisht ndikojnë jo vetëm në elementet e veçantë të një nomenklature, por në tërësinë e struktures hierarkike të saj.

Koncept tjetër i nomenklaturave është Harmonizimi. Një lloj harmonizimi ekziston ndërmjet nomenklaturave të së njëjtës natyrë. Në këtë rast elementet e një nomenklature janë të krahasueshme me elementet e një tjetre. Lidhja ndërmjet elementeve mund të jetë 1: 1; 1: n ose n : 1. Lidhja 1:n ose n : 1 ka kuptimin që një klasifikim është pikërisht një korespondencë e agregimit apo dizagregimit të tjetrit.
Aspekti i dytë lidhet me harmonizimin ndërmjet klasifikimeve të një natyre të ndryshme, si rasti i nomenklaturave ndërmjet aktiviteteve dhe produkteve. Në këtë kontekst, harmonizimi kupton jo agregimin apo dizagregimin, por ruajtjen e marrëdhënieve konceptuale të qendrueshme.

Institucionet përgjegjëse për zhvillimin dhe implementimin e nomenklaturave në një vend janë institutet kombëtare të statistikave.Detyrimi i zbatimit të nomenklaturave varet nga detyrimet e zbatimit të standardeve dhe rekomandimeve të EUROSTAT për krahasueshmëri të statistikave shqiptare me ato evropiane dhe ndërkombëtare dhe nevojave kombëtare. Çdo fushë statistikore ka një sërë nomenklaturash të rekomanduara për përdorim (këtu). Në momentin që Shqipëria do të jetë vend anëtar i BE do ketë detyrim ligjor përdorimin e një game më të plotë nomenklaturash. Edhe në vendin tonë, Instat është institucioni përgjegjës për zhvillimin dhe implementimin e versioneve kombëtare të nomenklaturave dhe për këtë ka ngritur një Komisioni Kombëtar Nomenklaturash i cili funksionon me VKM dhe drejtohet nga titullari i INSTAT.

Në mbështetje të Kushtetutës dhe ligjit “Për statistikat zyrtare”, me propozim të Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendos për ngritjen, funksionimin dhe detyrat e Komisionit Kombëtar për Nomenklaturën.

Komisioni Kombëtar për Nomenklaturën është përgjegjës për kryerjen e përditësimit, përshtatjen dhe zbatimin e klasifikimeve zyrtare ekonomike e sociale, në përputhje me nomenklaturat europiane dhe ndërkombëtare. Në përbërjen e vet komisioni ka përfaqësues nga:

  • Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme;
  • Ministria e Brendshme;
  • Ministria e Financave dhe Ekonomisë;
  • Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë;
  • Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë;
  • Ministria e Drejtësisë;
  • Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural;
  • Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale;
  • Ministria e Turizmit dhe Mjedisit;
  • Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes;
  • Banka e Shqipërisë;
  • Shërbimi Kombëtar i Punësimit;
  • Drejtoria e Përgjithshme e Doganave;
  • Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve;
  • Instituti i Sigurimeve Shoqërore;
  • Qendra Kombëtare e Biznesit;
  • INSTAT-i.

Komisioni kryesohet nga drejtori i Përgjithshëm i INSTAT-it. Nomenklaturat e miratuara paraprakisht nga Komisioni Kombëtar për Nomenklaturën miratohen me vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave dhe është detyrim ligjor i gjithë agjencive që prodhojnë statistika ti përdorin ato.

Shembull i vendimi të tillë është vendimi i KM nr. 320, datë 28.5.2014 "Për miratimin e Nomenklaturës së Veprimtarive Ekonomike të Revizionuar (Rev.2)" ose e njohur ndryshe si NVE Rev 2 dhe duhet të zbatohet nga agjencitë statistikore, ministritë e linjës, institucionet qendrore dhe vendore të cilët mbledhin, klasifikojnë dhe publikojnë të dhëna statistikore zyrtare.