Ecuria e bizneseve në vite
Në fund të vitit 2020, numri i bizneseve aktive në vend ishte 166,386 nga 162,342 në fund të 2019, duke shënuar një rritje prej 2.5 % krahasuar me vitin e kaluar. Rreth 28.2% ose 46,926 biznese të vendit ushtrojnë aktivitetin ekonomik në bashkinë e Tiranës.
Në ecurinë në vite të bizneseve në vend, shohim që gjatë 2015 ka patur një rritje me 39,751 biznese ose 35.32% në krahasim me një vit më parë për shkak të nismës së ndërmarrë asaj kohe për uljen e informalitetit. Ndikimi i kësaj nisme në bashkinë e Tiranës ka qënë shumë i lehtë duke ndikuar vetëm me 2.30 pikë përqindje në rritjen prej 35.32% të numrit të bizneseve në vend. Bashkitë e tjera të vendit kontribuan me 33.02 pikë përqindje. Ndikimi i ulët i kësaj nisme në Tiranë tregon për një numër të vogël të bizneseve të paregjistruara në Tiranë.
Ecuria në vite e numrit të bizneseve në bashkinë Tiranë dhe 60 bashkitë e tjera të vendit
Bazuar në të dhënat e DPTTV, vihet re rritja e peshës së numrit të bizneseve në njësitë administrative rurale duke zënë 15.52% të bizneseve gjithsej në Tiranë në 2020 nga 13.03% që zinin në 2016.
Përqindja e bizneseve në zonën urbane dhe rurale të Tiranës
Kashari me 7.81% është njësia rurale me numrin më të madh të bizneseve në Tiranë i ndjekur nga Farka me 2.82%. Zall Bastari dhe Shëngjergji janë njësitë rurale me numrin më të vogël të bizneseve në Tiranë duke zënë secila 0.05% të totalit të bizneseve.
Përqindja e bizneseve në zonën rurale të Tiranës sipas njësive
Më poshtë gjeni vendndodhjen e tregjeve publike të Tiranës, orën e fillimit të aktivitetit dhe numrin dhe shpërndarjen e subjekteve që ushtrojnë aktivitetin e tyre ekonomik në këto tregje.